Drejtësi (Foto ATSH)
Prej vitit 2019, më shumë se 10 mijë qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas, e mundësuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim PNUD dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në këtë periudhë, Ministria e Drejtësisë dhe PNUD kanë mbështetur hapjen dhe funksionimin e pandërprerë të 12 qendrave, të cilat aktualisht, që prej dhjetorit të vitit 2020, administrohen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, bën të ditur “ATSH”.
Qendrat funksionojnë në rrethin e Shkodrës, Peshkopisë, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Pogradecit, Korçës, Beratit, Elbasanit, Kukësit dhe Gjirokastrës dhe ofrojnë shërbim juridik falas për të gjithë njerëzit në nevojë. Numri i qytetarëve përfitues të shërbimeve të ofruara nga këto qendra ka shënuar rritje nga viti në vit. Kategoritë kryesore që kanë përfituar ndihmë juridike falas janë personat me të ardhura të pamjaftueshme ose pa të ardhura, të moshuarit/pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Objekti kryesor i çështjeve për të cilat qytetarët kërkojnë ndihmë juridike falas është kërkesa për divorc, urdhër mbrojtjeje, përfitimet e ushqimit për fëmijët në ngarkim, njohja e viteve të punës/përfitimi i pensionit, përfitimet nga skemat e mbrojtjes shoqërore dhe çështjet e pronësisë.