FMN: Shqipëria me rritje reale të PBB-së 3.6 %, mes më të lartave në Europë
FMN: Shqipëria me rritje reale të PBB-së 3.6 %, mes më të lartave në Europë
2024-11-23 14:15:46

Anke Weber, Petrit Malaj dhe Gent Sejko (Foto ATSH)

Anke Weber, Petrit Malaj dhe Gent Sejko (Foto ATSH)

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, Anke Weber, bëri të ditur se FMN parashikon që rritja reale e PBB-së për Shqipërinë për këtë vit të jetë 3.6 %, mes më të lartave në Europë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave Petrit Malaj dhe guvernatorin e BSH-së, Gent Sejko, në përmbyllje të misionit të radhës mbikëqyrës të FMN-së, Weber tha se parashikimet afatmesme të rritjes mbeten të forta mes 3.5 %, ndërkohë që rreziqet e këtij parashikimi janë të balancuara gjerësisht, citon “ATSH”.

“Ekonomia shqiptare ka shfaqur një performancë të fortë mbështetur nga politika të kujdesshme makroekonomike, ndërkohë PBB reale ka tejkaluar prirjet përpara pandemisë, falë sektorit në lulëzim të turizmit. Politikat e kujdesshme fiskale kanë kontribuar në një ulje të konsiderueshme të borxhit publik”, -deklaroi Weber.

Sipas saj, duhet të rinisin përpjekjet për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar, krah heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla.

Më tej, ajo shtoi se puna përgatitore për miratimin e ligjit të ri “Për tatimin mbi pronat” duhet të përshpejtohet dhe përfundojë në kohën e duhur. Investimet publike dhe reformat për menaxhimin e rreziqeve fiskale, theksoi Weber, mbeten thelbësore për transparencë fiskale.
Weber vlerëson se me një normë inflacioni nën objektivin 3 %, ulja e normës bazë të interesit, në nëntor, ishte lëvizja e duhur.